dumeditë blog and tweets

Pse është e rëndësishme qasja në dokumente publike për gazetarët?

Posted on by Arianit Dobroshi

Në shoqëritë demokratike, qasja në dokumente publike është shumë e rëndësishme për funksionimin e llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve publike. Në dokumentet të cilat i sigurojnë gazetarët përmes kërkesave për qasje, gjejnë një mjet të fuqishëm për të shpërfaqur disa të vërteta dhe për t’u kujdesur për zbatimin e ligjit nga institucionet.

Rëndësia e qasjes në dokumente publike ka disa dimensione për punën e gazetarëve. Duke pasur shpenzimet, vendimet dhe dokumentet tjera publike, gazetarët kujdesen që institucionet të jenë transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

“Tek ne në Kosovë, kemi parë që ka jashtëzakonisht interesim kur mediat përmes kërkesave për qasje në dokumente zyrtare arrijnë të sigurojnë shpenzime të qeveritarëve dhe pushtetarëve për dreka e darka dhe për udhëtime. Mendoj se sa i përket rritjes së llogaridhënies për shpenzimin e parasë publike nga pushtetarët, e drejta për qasje në dokumente zyrtare ka një rol jetik” – ka deklaruar Besnik Velija, redaktor te Gazeta Express.

Gazetarëve dhe mediave në Kosovë u është lehtësuar qasja në dokumente publike me funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Para funksionalizimit të saj, gazetarët ose mediat është dashur t’i drejtohen gjykatës në rast se nuk i është ofruar qasja nga institucionet.

“Para aktivizimit të AIP-së, situata ishte shumë më e komplikuar sepse gazetarët në rast të refuzimit apo heshtjes së institucionit në kërkesat për qasje duhej t’i drejtoheshin gjykatës, e ky proces konsumonte vite të tëra e kërkonte shumë resurse, dhe shumë prej mediave nuk i kishin mundësitë objektive” – ka deklaruar Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Ai ka përmendur edhe rastin maratonik të BIRN kundër Zyrës së Kryeministrit për qasje në faturat e drekave/darkave dhe shpenzimeve të udhëtimit për kryeministrin, ministrat e stafin e tyre, në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. Në këtë rast pas refuzimit të kërkesës nga institucioni, BIRN iu drejtua gjykatës dhe pas gati 6 viteve gjykata vendosi në favor të saj. Në këtë rast gjykata ka vendosur standardin se publiku duhet të informohet se si po shpenzohet paraja publike.

“Në këtë rast përkundër vendimit të gjykatës, përsëri kishte hezitim nga Zyra e Kryeministrit për të realizuar vendimin e gjykatës dhe kërkesa nuk u realizua derisa BIRN e dërgoi rastin tek përmbaruesi privat, i cili inicioi procedurën përmbarimore nën kërcënimin e shqiptimit të gjobës dhe pas shumë përpjekjeve u realizua kërkesa për qasje” – ka shtuar Leposhtica.

Rasti i BIRN-it kundër Zyrës së Kryeministrit tregon se sfidat për qasjen në dokumente publike kanë qenë intensive, por gjithashtu ka shërbyer si shembull për të treguar se si një angazhim i vazhdueshëm mund të ndikojë në rritje të transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet.

“E rëndësishme është se u ndërtua standard, tani institucionet i publikojnë në mënyrë pro-aktive të dhënat rreth shpenzimeve të tyre” – ka përfunduar Leposhtica.

Për gazetarët, qasja në dokumente publike është thelbësore për të mbështetur raportimin e tyre me fakte të verifikuara dhe për të shmangur rrezikun e dezinformimit. Ajo ndihmon në krijimin e një baze të fortë për lajme të sakta dhe të plota.

“Informacionet që sigurohen përmes kërkesave për qasje në dokumente janë shumë të rëndësishme për punën time si gazetar. Në fakt, ato përbëjnë pjesën kryesore të raportimit rreth çështjes së për të cilën parashtrojë kërkesë, e rrjedhimisht edhe e përcakton cilësinë e versionit përfundimtar të raportimit” – ka theksuar Mehmet Krasniqi, gazetari dhe redaktori i RTV Dukagjinit.

Nga 171 institucione publike në nivel qendror dhe lokal, vetëm 87 prej tyre kanë raportuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi rreth numrit të kërkesave për qasje në dokumente publike. Pesë prej tyre kanë raportuar se përgjatë gjithë vitit 2022 nuk kanë pasur fare kërkesa për qasje në dokumente publike, ndërsa 84 institucione nuk kanë raportuar fare.

Pas mbledhjes dhe evidentimit të këtyre të dhënave për periudhën raportuese, nga institucionet të cilët kanë raportuar pranë AIP-së për vitin 2022 numri i përgjithshëm i kërkesave për qasje në institucione publike ka qenë 4481, prej të cilëve për 3893 kërkesa është ofruar qasje e plotë, për 409 kërkesa është ofruar qasje e pjesshme, ndërsa 154 kërkesa janë refuzuar.

Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë vitit 2022 ka pranuar gjithsej 207 nga qytetarët (individët), 138 nga OJQ-të dhe 76 nga mediat. Institucionet ndaj të cilave janë parashtruar ankesat në AIP janë: 135 ndaj dikasterit qeveritar, 121 ndaj komunave dhe 165 ndaj institucioneve të tjera.

“Rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale është një prej objektivave me prioritet të lartë e AIP-së. Ndërgjegjësimi i institucioneve publike mbetet një proces i vazhdueshëm me qëllim të garantimit të së drejtës së qytetarëve për qasje në dokumente publike, e rrjedhimisht ofrimit të mundësisë së tyre për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në zbatimin e politikave të institucioneve publike me interes të përgjithshëm publik” – thuhet në raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022.

The post Pse është e rëndësishme qasja në dokumente publike për gazetarët? appeared first on Dumeditë blog.

E drejta për qasje në dokumente publike

Posted on by sindikata

E drejta për qasje në dokumente publike si një e drejtë kushtetuese, e mbrojtur me konventa ndërkombëtare dhe e rregulluar me Ligjin për qasje në dokumente publike në Kosovë, është një e drejtë themelore që promovon transparencën dhe llogaridhënien institucionale, si dy komponentë thelbësore për qeverisjen e mirë.

E drejta për të qenë të informuar është e paraparë përmes Ligjit nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Ky Ligj i garanton qytetarëve të drejtën që të kërkojnë dhe të marrin informacion nga autoritetet publike, duke përfshirë detaje në lidhje me vendimet, politikat dhe aktivitetet e institucioneve publike.

Dokumentet publike i referohen çdo aktit, faktit apo informatës në formë elektronike apo me zë, formë të shtypur, në incizime vizuale apo audiovizuale të prodhuara apo mbajtura nga institucionet publike. Kjo përfshin gjithçka, nga procesverbali i takimeve dhe raportet zyrtare te emailet dhe postimet në mediat sociale. Qasja në dokumente publike është me rëndësi të veçantë për t’i mbajtur zyrtarët dhe organizatat publike përgjegjëse për veprimet e tyre.

Promovimi i transparencës si një nga përfitimet më domethënëse të së drejtës për t’u informuar dhe qasjes në dokumentet publike i ofron qytetarëve të drejtë të dinë se si shpenzohen taksat e tyre tatimore, çfarë vendimesh merren nga organet qeveritare dhe autoritetet tjera publike dhe si zhvillohen e zbatohen politikat e këtyre institucioneve.

Duke pasur qasje në dokumentet publike, qytetarët monitorojnë veprimet e zyrtarëve dhe organizatave publike dhe mund të kërkojnë llogari për çdo punë të tyre, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe lehtësimit të jetës së tyre në një shoqëri demokratike.

Kur qytetarët kanë qasje në informacione të sakta dhe gjithëpërfshirëse për aktivitetet e qeverisë, ata mund të përfshihen më mirë në debate publike dhe të krijojnë opinione të drejta dhe të sakta. Kjo është thelbësore për promovimin e vlerave demokratike dhe lejimin e qytetarëve që të jenë pjesë e vendimmarrjes për çështje të rëndësishme që prekin komunitetet e tyre.

E drejta për qasje në dokumente publike, në parim është një e drejtë e pakufizuar, mirëpo qytetari mund të mos jetë gjithmonë drejtpërdrejtë i përfshirë në një proces.

trembelat illustration

Mund të ketë raste kur autoritetet publike kanë arsye të vlefshme për të kufizuar informacione të caktuara, atëherë kur është e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare ose të dhënat personale. Megjithatë, është thelbësore të sigurohet që këto përjashtime të përcaktohen saktësisht dhe të mos përdoren pa dallim për të parandaluar qasje në informacione publike.

Andaj, qytetarët e Kosovës duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u informuar dhe të kërkojnë qasje në dokumentet publike. Duke vepruar kështu, ne mund të ndërtojmë një shoqëri më transparente dhe të përgjegjshme, ku vlerat demokratike ruhen dhe qytetarët kanë informacionin që u nevojitet për të qenë pjesë e vendimmarrjes qeverisëse për proceset që ndikojnë në jetën e tyre.

The post E drejta për qasje në dokumente publike appeared first on Dumeditë blog.

Vështirësitë e padurueshme për të siguruar të drejtën bazike për informim

Posted on by Arianit Dobroshi

Në nëntor 2003, Kuvendi aprovoi Ligjin për qasje në dokumente zyrtare. Njëzet vjet më pas, sfidat kryesore mbesin.

Në mars të vitit 2008, një ndër detyrat e para si hulumtues i ri në Institutin GAP ishte dërgimi i kërkesave për qasje në dokumente zyrtare në institucione të ndryshme. Në mars të 2023 ende pjesë e punës time në Institutin GAP është edhe dërgimi i ankesave tek zyrtarët publik dhe institucionet për mos respektim të afateve ligjore për përgjigje në kërkesat për qasje në dokumente publike.

Në mes të kësaj periudhe prej 15 viteve, janë ndërruar tetë qeveri, të udhëhequra nga katër parti të ndryshme, ligji për qasje në dokumente publike është aprovuar si ligj i ri tri herë, por vështirësitë në qasje në dokumente publike kanë mbetur thuajse të njëjta.

Raporet vjetore të Zyrës së Kryeministrit për realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike dhe raportet vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi tregojnë se shkalla e refuzimit të qasjes në dokumente publike ka shkuar duke rënë nga viti në vit. Por kjo nuk nënkupton se institucionet janë më të hapura. Të njejtat raporte dëshmojnë se numri i kërkesave për qasje në dokumente publike ka shkuar duke u rritur. 

Kjo tregon se qytetarët dhe bizneset nuk munden të gjejnë informacionin në platformat elektronike të institucioneve, përkundër asaj se përgjatë viteve janë shpenzuar me miliona euro në avancimin e uabfaqeve zyrtare, janë trajnuar zyrtarë publik përgjegjës për zbatimin e Ligjit për qasje në dokumente publike, si dhe është avancuar baza ligjore e cila kërkon ndërmarrjen e masave proaktive në publikimin e dokumenteve publike. 

Burimi: Raportet vjetore të ZKM (2012-2018) dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi (2020 dhe 2021). Mungon raporti i ZKM për vitin 2019.

Për shumë vjet organizatat e shoqërisë civile dhe mediat janë zvarritur nëpër gjykata për të siguruar të drejtën bazike të qasjes në dokumente publike. Zakonisht aktgjykimet e gjykatave kanë qenë në favor të kërkuesve të informacionit, por lejimi i qasjes në ato dokumente ka qenë tepër i vonë. Për shembull, në qershor të vitit 2013 Lëvizja FOL kishte parashtruar padi kundër Ministrisë së Infrastrukturës për mos lejim të qasjes në kontratën e autostradës “Ibrahim Rugova”, dhe kishte fituar të drejtën për qasje pas më shumë se shtatë viteve. Instituti GAP në qershor 2013 kishte ushtruar padi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për mos lejim të qasjes në asetet e privatizimit të rrjetit të energjisë dhe këtë të drejtë e fitoi vetëm në dhjetor të 2017. Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në nëntor 2012 ushtroi padi ndaj Zyrës së Kryeministrit për mos lejim të qasjes në faturat e shpenzimeve dhe gjykata i dha të drejtë vetëm në shtator 2015.  

Funksionalizimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi në vitin 2021, ku pas shumë dështimeve Kuvendi i Kosovës arriti të emëroj Komisioneren për Informim dhe Privatëzi, ka shkuartuar kohën e ankesave dhe ka rritur shkallën e qasjes në dokumente publike. Tani në vend se ti drejtohen gjykatave, qytetarët dhe bizneset mund të ankohen në Agjenci. Gjatë viteve 2020-2021, Agjencia ka pranuar 180 ankesa kundër institucioneve për moslejim të qasjes në dokumente publike. 

Për disa dokumente publike, siç janë kontratat multimilonëshe për autostrada, apo shpenzimet e institucioneve për meditje, dreka e mallëra, ka vendime të qëllimshme politike për ti mbajtur ato të mbyllura. Por mbi 90% të dokumenteve publike mbahen të mbyllura vetëm për shkak të neglizhencës së zyrtarëve përgjegjës për ti bërë ato të qasshme në formë elektronike apo për tu përgjigjur në kërkesat për qasje në dokumente publike.

Edhe më tej mungon një qasje sistematike për të siguruar qasje në dokumente publike. Nëse nga viti 2012, institucionet kanë pranuar së paku 24 mijë kërkesa për qasje në dokumente publike, ky është një indikacion që nuk është bërë mjaftueshëm që të krijohet një sistem ku qytetarëve u mundësojet qasja në dokumente në uebfaqet e institucioneve, e në rastet e rralla, kur një kërkesë e tillë është e nevojshme, ai informacion duhet të bëhet i qasshëm për të gjithë, e jo vetëm për parashtruesin e kërkesës.

Andaj, krijimi i një sistemi unik elektronik i cili ruan dhe tregon ndërveprimin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve sa i përket qasjes në dokumente zyrtare, sipas modelit të WhatDoTheyKnow.com apo AskTheEU.org, do të ishte hapi i radhës për të avancuar të drejtën bazike të qytetarëve për informim.

The post Vështirësitë e padurueshme për të siguruar të drejtën bazike për informim appeared first on Dumeditë blog.

Rritja e transparencës institucionale nga qytetarët

Posted on by Arianit Dobroshi

Përtej realizimit të së drejtës për qasje në një dokument publik, kërkesat e qytetarëve, mediave dhe shoqërisë civile për qasje në dokumente publike “detyrojnë” institucionet publike për ngritje të transparencës dhe llogaridhënies. Kështu, përtej interesimit apo nevojave për një dokument të caktuar, kërkesat dhe ankesat për qasje në dokumente publike kontribuojnë në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Qytetari informohet lidhur me mënyrën e qeverisjes, politik bërjes dhe vendim marrjes. 

Cili rast e ilustron këtë? Për vite me radhë, Prokurori i Shtetit kishte vendosur që të mbajë larg syve të publikut vendimet për hudhjen e kallëzimeve penale apo mbylljen e hetimeve. Kërkesat e vazhdueshme të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për qasje në këto dokumente refuzoheshin vazhdimisht. Më pastaj edhe injoroheshin. Kështu, publiku, viktimat e krimit apo palët e interesit nuk mund të mbanin përgjegjës Prokurorin e Shtetit për mënyrën e vendosjes në këto raste. Pas funksionalizimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), IKD dhe “Betimi për Drejtësi” paraqitën ankesë ndaj Prokurorisë Themelore në Prishtinë për refuzim të qasjes në këto dokumente dhe AIP obligoi prokurorinë të ofronte qasje në këto dokumente publike. Kështu, përball standardit të kaluar kur këto vendime ishin hermetikisht të mbyllura, tanimë u ndërtuar standardi ku këto vendime janë të qasshme për publikun e gjerë. Ky standard nuk vlen tani vetëm për IKD si parashtruese e ankesës, por edhe për publikun e gjerë, palet e interesit dhe viktimat e krimit. 

Ky rast ilustron mënyrën e ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies institucionale përmes ndjekjes së rrugëve ligjore për qasje në dokumente publike. Për arsye abstrakte, institucionet jo rrallë herë kanë ndërtuar rregulla të kundërligjshme, duke kufizuar për publikun dokumente të ndryshme, përkundër se sipas ligjit ato konsiderohen publike. Ndjekja e rrugëve ligjore për të mbrojtur të drejtën kushtetuese për qasje në dokumente publike then këto standarde të kundërligjshme dhe hap institucionet. Kështu, para personave zyrtarë, publiku, mediat dhe shoqëria civile bëhen shkaktarë të ngritjes së transparencës institucionale. 

Hapja e dokumenteve të ndryshme nuk është qëllim në vetvete, por synon rritjen e llogaridhënies. Në rastin e vendimeve prokuroriale, secili prokuror do të jetë më i kujdesshëm në vendimmarrje, kur e ka parasysh se ato vendime do të jenë publike.

Përpos hapjes së dokumenteve që institucionet në mënyrë abstrakte i kanë konsideruar si të mbyllura, kërkesat dhe ankesat për qasje në dokumente publike do të “detyrojnë” institucionet për publikim proaktiv të dokumenteve publike. Kjo pasi praktikisht, më e lehtë do jetë që të publikojnë këto dokumente se sa ti përgjigjen secilës kërkesë individuale. 

Kështu, duke ndikuar në hapjen e dokumenteve dhe në nxitjen e publikimit proaktiv, qytetarët rrisin transparencën dhe llogaridhënien. Andaj, e rëndësishme është që në secilin rast të insistohet për realizimin e së drejtës kushtetuese për qasje në dokumente publike, qoftë përmes kërkesës në institucion apo ankesës në AIP. Sukseset individuale përmes këtyre rrugëve ligjore do të obligojnë institucionet për ngritje të transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

The post Rritja e transparencës institucionale nga qytetarët appeared first on Dumeditë blog.

Ligji që (s)i detyron institucionet për publikim proaktiv të dokumenteve publike

Posted on by Arianit Dobroshi

Qasja në dokumentet publike është e rëndësishme për të siguruar transparencën dhe llogaridhënien për qeverisjen e vendit. Duke u mundësuar qasja në dokumente publike, qytetarët kanë mundësinë të informohen mbi punën e institucioneve publike, dhe kjo ndihmon në promovimin e demokracisë dhe në luftimin e korrupsionit.

Neni 5 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2019, i detyron institucionet publike të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, përmes publikimit në ueb faqen zyrtare të institucioneve publike, pavarësisht kërkesës së personit për qasje. 

NATYRSHËM LINDIN DISA PYETJE QË MUND TË NA BRENGOS TË GJITHËVE:
A po ndodh një gjë e tillë aktualisht? A po zbatohet ky ligj nga institucionet tona? Çfarë fjale tjetër do të duhej të vendosej përveç asaj ‘detyrim’ që është aktualisht, në mënyrë që institucionet ta zbatonin këtë sepse aktualisht publikimi në mënyrë proaktive i dokumenteve publike nga institucionet e vendit lë shumë për të dëshiruar. Nga puna jonë e përditshme si FOL, çdo dite përballemi me sfida të prolongimit apo intencës për të mos na ofruar dokumentet e kërkuara nga institucionet e vendit. 

Është viti i tretë i Qeverisë Kurti. Ne si organizatë që monitorojmë punën e qeverisë, duhet të presim me javë të tëra që të marrim një dokument publik siç është Plani Vjetor i Punës apo Plani Strategjik Operacional. Ky është vetëm një dokument publik ku përmes tij, qytetarët do të kishin mundësinë të dinë për objektivat dhe aktivitetet e Qeverisë brenda një viti kalendarik. Pavarësisht obligimit që kanë zyrtarët që të kthejnë përgjigje për pranimin e kërkesës një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodh nga Zyra e Kryeministrit. Ata zgjedhin heshtjen, duke ditë se kjo qeveri ka dy zëdhënës dhe një zyre të konsoliduar për informim. 

Fatkeqësisht, ‘transparenca radikale’ e premtuar nga partia në pushtet, mbetet vetëm një premtim parazgjedhor asgjë më shumë. Madje, shpesh herë krijohet bindja se ka një tendencë të këtij pushtetit për të kontrolluar çdo informatë që del jashtë. 

Jo rastësisht e theksova nenin 5 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, duke vlerësuar se zbatimi i tij do të lehtësonte qasjen në dokument publike. Sikur institucionet tona të zbatonin vetëm këtë nen të këtij ligji, qytetarët, gazetarët, aktivistët nga organizatat jo-qeveritare do të kishin shumë më të lehtë të kryenin punën e tyre. 

Ky ligj përveç ‘detyrimit për publikim proaktiv të dokumenteve publike’ ka sjellë edhe funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Pavarësisht faktit që ishte një institucion me një staf shumë të vogël, gjatë dy viteve të fundit ka bërë një punë të madhe si gardian i qasjes në dokumente publike. Se institucionet kanë neglizhuar kërkesat e qasjes në dokumente publike tregon më së miri numri i madh i ankesave që kjo Agjenci kishte pranuar gjatë vitit 2022. Vetëdija e qytetarëve është ngritur sa i përket realizimit të së drejtës së tyre të garantuar me ligj, dhe këtë e tregon fakti se nga 421 ankesat e bëra në AIP gjatë vitit të kaluar, 207 prej tyre ishin nga vet qytetarët, të pasuar nga OJQ-të me 138 dhe nga mediat me 76. 

Për fund si rikujtim për qeveritarët të cilët edhe kanë filluar një proces për anëtarësimin e Kosovës në Open Goverment Partnership (OGP) mund të them se me këtë gjendje që aktualisht jemi sa i përket transparencës dhe llogaridhënies jemi në rrugë të gabuar. Kjo për faktin se OGP bazohet në idenë që një qeveri e hapur duhet të jetë sa më e qasshme, më përgjegjëse, më llogaridhënëse ndaj qytetarëve.

Qasja në dokumente publike është një ndërlidhje e rëndësishme midis qytetarëve dhe institucioneve publike, dhe si e tillë duhet të mirëmbahet rregullisht dhe ti kushtohet rëndësia e duhur për të siguruar një qeverisje efektive, transparente dhe llogaridhënëse.

The post Ligji që (s)i detyron institucionet për publikim proaktiv të dokumenteve publike appeared first on Dumeditë blog.